Vuajtja nuk ka shtresë shoqërore…
Ai që jeton në thellësi të shkretëtirës ankohet me gjithë hidhërim, sepse nuk gjen ujë të pijshëm.
Ndërsa banori i Zamalekut, i cili ka ujë, drita, ngrohës, kondicioner, telefon dhe televizor, po ta dëgjosh me vëmendje, do ta gjesh edhe atë duke u ankuar me gjithë hidhërim për tretjen e keqe, diabetin dhe tensionin e lartë.
Milioneri që jeton në Paris dhe ka gjithçka që mund të ëndërrojë, ankohet nga depresioni, frika nga hapësirat e mbyllura, vesveset, pagjumësia dhe ankthi. Ndërsa ai të cilit Zoti i ka dhënë shëndet, pasuri dhe një grua të bukur, dyshon te gruaja e tij e bukur dhe nuk e njeh shijen e qetësisë.
Edhe mbretin, e sheh të jetë skllav i dëshirave të tij, shërbëtor i lakmive dhe i nënshtruar ndaj tekave të veta.
Të gjithë dalim nga kjo botë me pjesë të përafërta, pavarësisht dallimeve të mëdha që duken në sipërfaqe. Pavarësisht pasurisë së të pasurve dhe varfërisë së të varfërve, rezultati përfundimtar i lumturisë dhe vuajtjes së tyre në këtë botë është i përafërt.
Zoti merr aq sa jep, kompenson aq sa privon, dhe e lehtëson aq sa vështirëson. Sikur secili prej nesh të hynte në zemrën e tjetrit, do të ndiente keqardhje për të dhe do të shihte drejtësinë e ekuilibrave të brendshëm, pavarësisht çrregullimit të ekuilibrave të jashtëm. Atëherë nuk do të ndiente as zili, as urrejtje, as mburrje dhe as mendjemadhësi.
Në fund të fundit, këto pallate, bizhuteritë, stolitë dhe perlat janë vetëm një dekor i jashtëm, si letra loje. Brenda zemrave që banojnë në to, jetojnë dëshpërimet dhe psherëtimat e dhimbshme. Ziliqarët, hakmarrësit, mendjemëdhenjtë dhe ata që gëzohen pas pamjes së jashtme mashtrohen nga dukja dhe janë të pavetëdijshëm për të vërtetat.
Sikur hajduti ta kuptonte këtë të vërtetë, nuk do të vidhte. Sikur vrasësi ta kuptonte, nuk do të vriste. Sikur gënjeshtari ta dinte, nuk do të gënjente!
Sikur ta njihnim këtë të vërtetë siç duhet, do ta kërkonim këtë botë me dinjitet, do të përpiqeshim të jetonim me ndërgjegje dhe do të silleshim me njëri-tjetrin me virtyt. Sepse në këtë botë, në të vërtetë, nuk ka fitues dhe të mundur. Pjesët që i bien secilit janë të përafërta në thelb, dhe rezultati ynë nga vuajtja dhe lumturia është i përafërt, pavarësisht dallimeve të dukshme mes shtresave shoqërore.
Vuajtja nuk ka shtresë shoqërore. Ajo është një e përbashkët që i bashkon të gjithë; secili pi prej saj një kupë të plotë. Në fund, kupat barazohen, pavarësisht ndryshimit të pamjeve, gradave dhe rrethanave.
Dallimi mes shpirtrave tanë nuk është në sasinë e lumturisë apo vuajtjes, por në qëndrimin ndaj tyre.
Ka një shpirt që ngrihet mbi vuajtjen e tij, e tejkalon atë dhe sheh në të urtësinë dhe mësimin. Këta janë shpirtra të ndriçuar, që shohin drejtësinë dhe bukurinë në gjithçka dhe e duan Krijuesin në çdo vepër të Tij.
Dhe ka shpirtra që e përtypin vuajtjen e tyre vazhdimisht, e bluajnë atë në mendje dhe e shndërrojnë në urrejtje të zezë dhe zili shkatërruese.
Këta janë shpirtra të errët, që nuk e pranojnë Krijuesin dhe rebelohen ndaj veprave të Tij.
Çdo shpirt, përmes qëndrimit të tij, po përgatit fatin e vet përfundimtar në botën tjetër, ku do të jetë vuajtja e vërtetë ose lumturia e vërtetë. Njerëzit e kënaqur me Zotin janë për në begati, ndërsa njerëzit e mbushur me urrejtje janë për në zjarr.
Sa për këtë botë, këtu nuk ka as Xhenet e as Xhehenem, përveçse sipas asaj që duket në sipërfaqe. Në të vërtetë, të gjithë pijnë kupa të ngjashme. Të gjithë janë të lodhur.
Kjo botë është vetëm një sprovë për të treguar qëndrimet e njerëzve.
Shpirtrat nuk ndryshojnë për shkak të asaj që u është dhënë apo që u është mohuar, por për shkak të qëndrimeve të tyre. Dhe nuk dallohen nga njëri-tjetri për nga fati, por nga mënyra se si reagojnë ndaj fatit.
Nuk është vuajtja apo begatia ajo që i ndan, as dallimi në fatet që i bën më të mirë apo më të këqij, dhe as ajo që duket në fytyrat e tyre — qoftë të qeshura apo lot.
Kjo është vetëm skena e jashtme mashtruese.
Është dekorimi dhe veshja e roleve që mbajnë aktorët.